Myftiu i Shkodrës dënon aktet terroriste që po lëndojnë botën mbarë

 

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë, muslimanë,

Në Kur’anin Famëlartë jemi porositur: “O bijtë e Ademit, po a nuk u dërgova porosinë që të mos e dëgjoni djallin, se me të vërtetë ai është armiku juaj i hapët!?” – (Kur’ani, Jasin: 60)

Dhuna dhe terrorizmi nuk janë feja e jonë!
Ekstremizmi dhe imponimi nuk janë kultura e jonë islame!
Etiketimet e nxituara për të fajësuar Islamin dhe muslimanët për çfarë nuk janë, as nuk mund të jenë, nuk janë vlera humane, as tregues qytetërimi!

Aktet barbare të dhunës, vrasjeve të njerëzve të pafajshëm, zhvatjes së pasurive të tjetrit, kushdo qoftë ai, nuk janë thirrja e jonë, as feja e jonë, as formimi ynë!

Ne si muslimanë dënojmë me zemër dhe me çdo mundësi legjitime që kemi, krejt format e dhunës dhe terrorit, me të cilat është lënduar bota e jonë prej dekadash.

Shpërthime e bombardime, vrasje civilësh e djegie e pasurive, dënime arbitrare dhe shkelje e të drejtave të njeriut gjithandej, “acari vrastar” arab, në emër të “pranverës”, që dogji e shkatërroi qytetërime e jetë të pafajshme, në Siri, Irak, Palestinë, Libi, Egjipt, por jo vetëm.

Shpërthimet e para ca ditëve në Stamboll, ato të Parisit, ai në Medinen e Bekuar, ai mbrëmë në Nice, e shumë e shumë të tjerë, në të vërtetë janë sulme ndaj racës njerëzore, ndaj krijesës më të bekuar të Zotit, ndaj vlerave të qytetërimeve, ndaj jetës së shenjtëruar në Librat e Shenjtë, ndaj vetë besimit në Zot, Islamit në veçanti!

Ju ftoj të lutemi e të angazhohemi maksimalisht për ta dëshmuar veten si muslimanë të vërtetë, ndërtues të jetës, të distancuar nga adhuruesit e djajve, që mbjellin terror e pasiguri kudo në botë, edhe në emër të “Zotit”, që nuk është Krijuesi i gjithësisë, All-llahu Mëshirëbërës, që ne besojmë!

Ftoj krejt komunitetet fetare në vend të bëjnë lutje e të sensibilizojnë besimtarët për t’u distancuar moralisht e shpirtërisht, materialisht e në çdo mënyrë legjitime nga çdo formë e dhunës, terrorit, mbjelljes së urrejtjes ndërfetare dhe thirrjeve shterpë, që na armiqësojnë dhe krijojnë territore të përshtatshme, ku djajtë e mallkuar ndërtojnë perandoritë e errësirave!

All-llahu i Madhëruar na mbuloftë me Mbrojtjen e Tij hyjnore dhe e udhëzoftë njerëzimin drejt besimit dhe vlerave më të larta të udhëzimit hyjnor, ku njeriu është vëlla i njeriut, ku drejtësia dhe ligji janë garanci për jetën, ku harmonia dhe toleranca frymëzojnë brezat për të ndërtuar jetën me Fjalën dhe Dashninë e Zotit Një!

Imam Muhamed B. Sytari

Aktualitet

Archives