Në burg dy inspektorë shëndeti, lëshonin çertifikata falso për bizneset

Dy inspektorë të Inspektoratit Shëndetësor të Shkodrës kanë përfunduar pas hekurave pasi dyshohen se në këmbim të parave pajisnin bizneset e ndryshme me çertifikatën pastërtie të ambjentit.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Shkodrës vendosi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”.

Në bazë të hetimeve të deritanishme të Prokurorisë së Shkodrës, rezulton se inspektorët Dritan Geci dhe Milseva Milla merrnin nga 4 mijë deri në 10 mijë lekë për t’i pajisur bizneset me çertifikata dizifektim-dezinsektim, të cilat për më tepër rezultojnë që janë të falsifikuara.

Në bazë të veprimeve hetimore të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, masë e cila është zbatuar nga ana e forcave të Policisë Vendore të qytetit.

Sipas organit të akuzës, “nga analiza e akteve dhe provave të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Dritan Geci  së bashku me shtetasen Milseva Mustafa (Milla) kanë konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim”

Këta shtetas pas kontrolleve të kryera tek subjekte të ndryshëm tregtarë kanë konstatuar se afati i vlefshmërisë së çertifikatës së shërbimit për dizifektim-dezinsektim-deratizim kishte mbaruar ose subjektet nuk ishin të pajisur fare me një të tillë.

Ndodhur në këto kushte, ata kanë kontaktuar privatisht me subjektet e interesuar dhe iu kanë ofruar atyre një çertifikatë shërbimi dizifektim-dezinsektim-deratizim lëshuar nga shoqëria “Neo-Vita” shpk, e cila rezulton të ketë pezulluar aktivitetin e saj tregëtar  që në datën 7 janar 2015, kundrejt një shume të ndryshme lekësh, të cila më pas i kanë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme.

Aktualitet

Archives