Policia shqiptare ndalon një shtetas turk i kërkuar për terrorizëm

 I kërkuar nga drejtësia turke për terrorizëm shtetasi turk Muhamed Yasir Ajdomush (Muhammed Yasir Aydoğmuş) është kapur në portin e Durrësit ndërsa ka tentuar të kalojë kufirin dhe udhëtojë drejt Italisë me dokumente të falsifikuara.

Shtetasi turk Muhamed Yasir Ajdomush (Muhammed Yasir Aydoğmuş) i arrestuar në qytetin e Durrësit, disa ditë më parë, rezulton të jetë person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili kërkohet nga autoritetet turke për “lidhje me organizatë terroriste”…

Muhamed Ajdomush 39 vjeç dhe gruaja e tij N. A. 34 vjeçe, banues në Turqi, kanë tentuar të kalojnë kufirin dhe të udhëtojnë në shtetin italian me pasaporta, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. 

Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësitka konfirmuar zyrtarisht se është bërë arrestimi i përkohshëm i tij, me qëllim ekstradimin drejt Turqisë.

Pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Zyrën e Interpolit Tiranë u evidentua se shtetasi turk Muhamed Ajdomush ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për organizatë terroriste (lidhje me organizatë terroriste) dhe kërkohej nga Turqia. Muhamed Ajdomush u arrestua dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të bashkëshortes së tij, pasi së bashku me dy fëmijët e tyre kanë tentuar të kalojnë kufirin në Portin e Durrësit në drejtim të Italisë me pasaporta, të cilat dyshohej se ishin të falsifikuara“, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Durrësit.

Ndaj të arrestuarit fillimisht Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës vendosi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje dhe lënie garancie pasurore” për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe ”kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Por policia e shtetit shqiptar ka konfirmuar se pas njoftimit të marrë nga Interpol Tirana u kryen procedurat mbi arrestimin e përkohshëm të tij, pasi kërkohej nga shteti turk për “pjesëmarrje në organizatë terroriste.”

Bashkëshortorja e shtetasit turk të arrestuar bashkë me fëmijët janë dërguar në Qendrën Kombëtare Pritëse për të Huajt në Babrru të Tiranës, dhe ku do të qëndrojë aty deri në përfundim të procedurave ndaj saj.

Personi në fjalë, Muhamed Ajdomush supozohet të jetë pjesë e një ekipi “trollësh” në internet, i cili ka siguruar informata për llogarinë “Fuat Avni” të organizatës terroriste FETO në Twitter, llogari e cila vitin e kaluar (2016) ishte zbuluar nga Prokuroria e Stambollit. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda e Turqisë ka nxjerrë ndaj 39-vjecarit një urdhërarresti, ku akuzohet për anëtarësim në organizatë kriminale.

Aktualitet

Archives