Thorsten Frei: Krimi i organizuar mbetet një problem i madh në Shqipëri

Thorsten Frei, deputeti gjerman i CDU-së, raportuesi për Shqipërinë pranë Bundestagut, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe ka dhënë vërejtjet, sugjerimet dhe këshillat e tij për forcat kryesore politike në një intervistë për Shekullin

Z. Frei, të hënën filloi sezoni i ri i parlamentit shqiptar dhe opozita e bojkoti seancën. A keni ndonjë koment mbi këtë situatë?

Sigurisht që ka shumë arsye për pakënaqësi në Shqipëri. Megjithatë, bojkoti parlamentar, në përgjithësi është një përgjigje e gabuar. Ashtu siç e kam thënë në të kaluarën, bojkotimi i Parlamentit është një mënyrë e varfër e të kuptuarit të demokracisë. Aq më tepër, që me sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala, palët duhet të mbanin një qëndrim të përbashkët dhe të linin një shenjë për këtë rast. Unë shpresoj që bojkoti të jetë vetëm një aksion fillestar dhe i vetëm. Në çdo rast, bojkoti parlamentar është i dëmshëm për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe për negociatat e mundshme në vitet që vijnë. Kjo duhet të jetë një shqetësim për të gjitha palët e përfshira në këtë proces.

Për sa i përket reformës së drejtësisë në Shqipëri, në vlerësimin tuaj, a është duke ecur me ritmin e duhur ky proces. Sa gjyqtarë duhet që të kalojnë vetingun, që vendi të marrë notë pozitive?

Sigurisht, duhet të theksojmë dhe të vëmë re se, gjatë verës ritmi i ecjes së reformës u rrit disi. Por, nga ana tjetër janë njerëzit dhe elektorati shqiptar ai që mund ta vlerësojë këtë gjë më mirë. Nga pikëpamja ime, është e domosdoshme, që për hapjen e negociatave të pranimit, duhet të paktën rishikimi i 57 gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky proces duhet të përfundojë në mënyrë transparente dhe me procedura të verifikueshme. Gjithashtu duhet një funksionim i plotë i gjykatave, pasi në këto momente janë gati inekzistente.

Në opinioni tuaj, cili mund të jetë reforma më e mirë për drejtësinë shqiptare?

Për mendimin tim, reforma më e mirë, është reforma që mund të miratohet nga i tërë parlamenti. Kjo është reforma më e mirë që unë mund të imagjinoj. Por që të vijmë në këtë stad, ajo në radhë të parë duhet të implementohet plotësisht. Asgjë më shumë ose më pak.

Le të kthehemi tek kodi elektoral i Shqipërisë, a përbën reformimi i këtij kodi, një prioritet për tu vlerësuar para çeljes së negociatave nga Bashkimi Evropian?

Po padyshim. Unë këtë fakt e kam thënë shumë herë. Madje për këtë çështje jam prononcuar edhe në Komitetin me jashtë të Bundestagut Gjerman. Kodi zgjedhor do të thotë më shumë demokraci për partitë politike.

A mendoni se partitë e vogla kanë të drejtën të marrin pjesë në procesin e reformës elektorale. A duhet të kenë ato një vend aty?

Nga pikëpamja ime është shumë e rëndësishme që të kemi një reformë gjithëpërfshirëse. Vetëm në atë rast mund të kemi një pranim të gjerë në publik. Një reformë gjithëpërfshirëse, do të thotë edhe një përfshirje të shoqërisë civile dhe në veçanti të partive politike të opozitës. Ata duhet të përfshihen në këto diskutime. Megjithatë, ky është një vendim i Parlamentit të Shqipërisë, ne jemi duke e ndjekur nga afër situatën.

Disa krime kanë ndodhur këtë javë. Vetëm një javë më parë, familja e gazetares Klodiana Lala u qëllua me plumba. Si vlerësoni sigurinë dhe luftën ndaj krimit në Shqipëri?

Krimi i organizuar mbetet një problem i madh në Shqipëri. Kjo në radhë të parë duket nga raportet e fundit të drogave dhe sasive të kapura. Por për sa i përket sulmit ndaj gazetares shqiptare, edhe njëherë tregon se krimi është i fortë dhe i aftë të veprojë kur do të bëjë diçka. Lufta kundër krimit të organizuar duhet të mbetet në krye të agjendës së qeverisë shqiptare.

A keni ndonjë koment mbi ardhjen e 20 emigrantëve nga Eritrea në Shqipëri? Bashkimi Evropian nuk është dakord me marrëveshjen e arritur midis Italisë dhe Shqipërisë…

Çdo shtet ka të drejtë të vendosë vetë për çështjen e refugjatëve dhe politikat që duhet të ndjekë për këtë rast. Ata duhet të negociojnë për refugjatët. Kjo vërtet mund të varet nga njëra palë, por nga ana tjetër duhet të merret në konsideratë edhe situata sociale e vendit përkatës./Shekulli

Aktualitet

Archives