Drejtori i Tatimeve i përfshirë në një tjetër rast korrupsioni, pezullohet nga detyra

Androkli Kokthi, Drejtori i Tatimeve të Tiranës është pezulluar nga detyra me vendim gjykate, pas kërkesës së bërë nga organi i akuzës. Nga hetimet ka rezultuar se Kokthi ka ulur ndjeshëm detyrimin financiar, që duhej të paguante në favor të shtetit kompania e naftës “Fullpet”.

Ndaj kompanisë “Fullpet”, Prokuroria e Tiranës është duke zhvilluar hetim lidhur me përfshirjen në një skemë mashtruese financiare.

Gjatë veprimeve hetimore, Njësia Task-Force e Prokurorisë së Tiranës ka konstatuar, ndër të tjera, se në vitin 2014, administrata tatimore, e konkretisht nën drejtimin e të dyshuarit Kokthi, i ka bërë një përllogaritje të gabuar detyrimeve që “Fullpet” kishte ndaj shtetit.

Prokuroria e Tiranës ka kryer verifikimet e saj, në kuadër të procedimit penal, nga të cilat ka krijuar dyshime të arsyeshme se kjo shmangie financiare është realizuar nën ndikimin e Drejtorit të Tatimeve.

Ky i fundit vijon të jetë person nën hetim nga ana e Prokurorisë së Tiranës edhe për një rast tjetër, ku janë krijuar dyshime se ka favorizuar një firmë pjesësh këmbimi për t’iu shmangur detyrimeve tatimore.

Aktualitet

Archives